“U përjashtova nga varrimi i babait” Amber Candy rrëfen “stuhinë” e jetës së saj në Big Brother VIP Albania 4

“U përjashtova nga varrimi i babait” Amber Candy rrëfen “stuhinë” e jetës së saj në Big Brother VIP Albania 4

Amber Candy, banorja e “Big Brother VIP Albania 4”, ka rrëfyer një histori të dhimbshme nga jeta e saj, duke prekur zemrat e banorëve dhe shikuesve. Në një sfidë emocionale të vendosur nga Big Brother, ku banorët duhej të ndanin momentet më të vështira të jetës, Amber foli për tranzicionin e saj dhe sfidat e mëdha që e shoqëruan gjatë këtij procesi.

Një vendim që ndryshoi gjithçka

Amber ka rrëfyer se tranzicioni i saj nisi me një udhëtim në Itali, duke sjellë si pasojë mbylljen e biznesit që kishte në Shqipëri dhe prishjen e marrëdhënieve me familjen. Përballë paragjykimeve dhe mungesës së mbështetjes nga të afërmit, ajo tregoi se para një operacioni të rëndësishëm, motra i kishte thënë:
“Nëse e bëni këtë, duhet të na hiqni edhe mbiemrin sepse ne nuk e pranojmë këtë”.

Një telefonatë e fundit me babin

Amber ndau momentin më tronditës kur babai i saj, i diagnostikuar me kancer, e telefonoi për herë të fundit.
“Sido që të bëhesh, ti mbetesh fëmija im, ti mbetesh gjaku im dhe nuk do të të refuzoj kurrë”, i kishte thënë ai. Vetëm pak minuta pas kësaj bisede, Amber mori lajmin për vdekjen e të atit, të cilin e cilësoi si dhimbjen më të madhe të jetës së saj.

I përjashtuar nga varrimi i babait

Pavarësisht trishtimit të thellë, familja e saj nuk e lejoi të ishte e pranishme në varrim. Amber shpjegoi se arsyeja lidhej me presionin e opinionit publik:
“Na vjen keq, por familjarisht kemi seder dhe vuajmë për opinionin publik, ju nuk do të jeni pjesëmarrës në varrim”.

Një premtim i mbajtur

Amber tha se i kishte premtuar babait të saj të ndjerë se do ta tregonte këtë histori pa derdhur lot, duke respektuar kështu dëshirën e tij. Kjo histori e dhimbshme u bë një moment reflektimi jo vetëm për banorët, por edhe për publikun, duke sjellë një mesazh të fuqishëm pranimi dhe mbështetjeje për individët që ndjekin të vërtetën e tyre.

“Big Brother VIP Albania” vazhdon të jetë jo vetëm një arenë lojërash dhe strategjish, por edhe një platformë për të ndarë histori që prekin zemrat e të gjithëve.