edi rama energjia

Shqipëria, i vetmi vend që po ul çmimin e energjisë: Kryeministri Rama

Ndërsa përditë merr qindra mesazhe nga ndjekësit e tij në rrjetet sociale, Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur t’i përgjigjet një akuze specifike që e konsideron të pavërtetë pretendimin se nuk ka ulje të çmimit të energjisë elektrike. Duke ofruar krahasime konkrete me vendet e Bashkimit Europian, ai e mbështet me shifra pozicionin e tij.

“Krahasoni çmimet për kilovat orë në disa vende të BE-së: në Shqipëri çmimi do të jetë 8.5 lekë. Ndërkohë, në Greqi çmimi është trefishi, 22 lekë për kilovat orë, në Itali 33 lekë, ndërsa në Gjermani arrin deri në 40 lekë. Më e ulëta në BE është Hungaria, e cila ka rreth 20% më shumë se Shqipëria,” deklaroi Rama.

Në vijim, Rama reagoi edhe ndaj një komenti tjetër që kundërshtonte kufirin prej 700 kilovatësh si masë për uljen e çmimit. Ai theksoi se mbi 1 milion konsumatorë familjarë përfitohen nga ky vendim.

“Konsumatorët që harxhojnë deri në 700 kilovatë orë përfaqësojnë shumicën, ndërsa ata që e tejkalojnë këtë kufi janë më pak se 100 mijë dhe zakonisht kanë shtëpi më të mëdha, të ardhura më të larta dhe konsum më të madh. Për këtë arsye, ata do të paguajnë disi më shumë,” shtoi kryeministri.

Sipas vendimit të miratuar nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE), duke nisur nga data 1 Shkurt, të gjithë konsumatorët familjarë që harxhojnë deri në 700 kilovat orë energji elektrike në muaj do të paguajnë vetëm 8.5 lekë për kilovat orë. Ndërsa, për ata që tejkalojnë këtë prag, tarifa do të jetë 9.5 lekë për kilovat orë për të gjithë sasinë e energjisë së konsumuar.

Ky vendim synon jo vetëm uljen e kostove për pjesën më të madhe të konsumatorëve familjarë, por edhe nxitjen e një përdorimi më racional të energjisë elektrike.