Ish-banori i Big Brother VIP Albania, Bernard Hulme, ka qenë në qendër të vëmendjes pas rrëfimit të tij të papritur gjatë qëndrimit në shtëpinë e famshme. Ai zbuloi për herë të parë se është homoseksual, një deklaratë që erdhi pak ditë pasi ndau me publikun se është baba i dy vajzave dhe i divorcuar nga ish-bashkëshortja.
Së fundmi, në rrjetet sociale ka qarkulluar një lajm i rremë se Bernard është dhunuar nga disa persona në Tiranë, si pasojë e deklaratës së tij në BBV. Një postim i shpërndarë gjerësisht pretendonte se ai ishte sulmuar nga disa të rinj në zonën e Rrugës Bardhyl.
Megjithatë, Bernard e ka mohuar kategorikisht këtë pretendim. Në një reagim të fortë, ai ka lënë një koment të drejtpërdrejtë, duke e cilësuar lajmin si të pavërtetë dhe duke i sfiduar hapur ata që shpërndajnë dezinformata.
“Flini rehat, se një shtetasi britanik vetëm mund t’i shikoni nga larg. Më mirë një burrë gay sesa një burrë pa shtyllë kurrizore. Për më tepër, unë nuk kam jetuar kurrë në Rrugën Bardhyl. Të gëzosh llogarinë e Instagramit edhe për pak orë!”, ka shkruar ai.
Ai gjithashtu bëri thirrje për respekt dhe mbështetje për të drejtat e njeriut, duke theksuar se ka angazhime të rëndësishme në lidhje me çështje sociale dhe të drejtat e fëmijëve.
Ky reagim i Bernardit ka marrë mbështetje nga ndjekësit e tij, të cilët e kanë përgëzuar për guximin dhe qartësinë në qëndrimet e tij. Ndërkohë, lajmi për dhunën mbetet një spekulim i pabazë, i hedhur poshtë nga vetë protagonisti.