parashqevia del nga spitali

Parashqevi Simaku del nga Spitali Psikiatrik: Elton Ilirjani thotë se…

Këngëtarja e njohur shqiptare, Parashqevi Simaku, do të dalë nga spitali të mërkurën, pas një periudhe të vështirë shëndetësore. Lajmin e bëri të ditur biznesmeni dhe aktivisti Elton Ilirjani, i cili është kujdesur për të gjatë këtyre javëve të fundit.

Sipas Ilirjanit, artistja do të vendoset në një shtëpi të re dhe do të ketë mbështetje të vazhdueshme në këtë rrugëtim të ri. “Është një moment i rëndësishëm për Parashqevinë. Ajo mezi pret të largohet nga spitali dhe të nisë një kapitull të ri. Do të jem pranë saj për t’ia dhënë personalisht këtë lajm të bukur. Madje, do t’i çoj edhe byrekun e saj të preferuar me spinaq,” – u shpreh ai me emocion.

Ndërsa përmirësimi i gjendjes së këngëtares është një hap pozitiv, Ilirjani theksoi se mbështetja për të nuk duhet të ndalet. Ai u bëri thirrje komunitetit shqiptar, veçanërisht grave që kanë mundësi, të ndihmojnë në akomodimin e saj dhe t’i qëndrojnë pranë gjatë kësaj faze të re. “Dua shumë ta bëj vetë këtë 24/7, por angazhimet nuk ma lejojnë. Prandaj, kushdo që ka dëshirë të ndihmojë, është i mirëpritur,” – tha ai.

Ai gjithashtu shprehu zhgënjimin e tij për mungesën e mbështetjes nga kolegët e industrisë muzikore, duke theksuar se ndihmesa më e madhe ka ardhur nga njerëz jashtë rrethit të saj profesional.

Nga gjithë kjo situatë e ngarkuar emocionalisht, Ilirjani pranoi me humor se ka nisur të konsumojë cigare dhe kërkoi ndihmë për ta lënë. “E di që nuk është e mirë për shëndetin, për lëkurën dhe për jetën time profesionale, por ka qenë një periudhë shumë stresuese për mua,” – rrëfeu ai.

Për shkak të angazhimit të tij me Parashqevi Simakun, Ilirjani u detyrua të anulojë pjesëmarrjen e tij në Javën e Modës në Kore. Megjithatë, ai shpreson që në edicionin e ardhshëm të Javës së Modës në New York, Parashqevi të jetë e pranishme në rreshtin e parë për ta mbështetur.

Ky moment shënon një hap të rëndësishëm për këngëtaren, ndërsa Ilirjani dhe mbështetësit e saj vazhdojnë të jenë pranë saj për të siguruar një rikthim sa më të qëndrueshëm dhe të lumtur në jetën e përditshme.